Kurti dhe Ymeri takojnë zyrtarët e BE-së
Prishtinë, 14 janar - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje!, Albin Kurti, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, Visar Ymeri, u takuan me Drejtorin për Ballkanin Perëndimor të Drejtoratit të Përgjithshëm për Fqinjësi dhe Negociatat për Zgjerim nga Komisioni Evropian, Jean-Eric Paquet, Kryesuesen e Njësisë për Kosovën nga i njëjti Drejtorat, znj.Catherine Wendt, Zyrtaren për Kosovë nga i njëjti Drejtorat, znj.Cindy Van Den Boogert, si dhe Shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.
Në këtë takim u diskutua shumë çështje sikurse ajo e sundimit të ligjit dhe luftimit të korrupsionit, e liberalizimit të vizave dhe MSA-së, e dialogut me Serbinë, e ekstremizmit fetar etj.
Përfaqësuesit e Vetëvendosje!-s shprehën pikëpamjet e tyre të mirënjohura për të gjitha këto duke theksuar që Kosova i ka dy probleme thelbësore prej të cilave derivojnë shumica e të tjerave: ndarja e qytetit të Mitrovicës dhe papunësia e madhe.
Për të qene më keq se kaq, të dy këto probleme nga të gjitha qeveritë e pasluftës duke përfshirë edhe atë aktualen janë orvatur të gjejnë zgjidhje me qasje e model të gabuar duke i rritur e shtuar kësisoj problemet.
Lëvizja Vetëvendosje! si opozita prijëse në këtë mandat do të bashkëpunojë edhe me deputetët e tjerë opozitarë që Kuvendi të shndërrohet në vendin ku mbrohet Republika dhe demokracia, ku zhvillohet mendimi kritik dhe ligjshmëria, thanë Kurti dhe Ymeri.
Të dy palët u zotuan për kontakte e takime edhe më shpeshta në vitin 2015, si në Prishtinë po ashtu edhe në Bruksel.