Kurti angazhohet për një shtet social
Prishtinë, 7 korrik - Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, dhe kandidati për kryeministër Albin Kurti, kanë takuar sot ambasadorin e Suedisë, Henrik Nilsson, dhe ambasadoren e Finlandës, Anne Huhtamäki.
Para ambasadorëve të të dyja shteteve, Ymeri e Kurti folën mbi zgjidhjet që parasheh LVV karshi problemeve me të cilat tash e sa vite ballafaqohet Kosova, të sintetizuara në Alternativën qeverisëse, ku me këtë rast u theksuan zgjidhjet konkrete që jepen në 20 kapitujt e kësaj alternative, që gjatë zgjedhjeve të fundit u konkretizuan tutje në formën e 40 prioriteteve apo masave që do të ndërmerren për zhvillimin e forcimin e Republikës së Kosovës.
\"Në këtë takim u diskutua veçanërisht mbi modelin ekonomik që e parasheh Alternativa qeverisëse, ai i shtetit zhvillimor, përmes të cilit synohet të vihen në përdorim politikat shtetërore, resurset natyrore që ka vendi ynë dhe ndikimi i shtetit, me qëllimin që të luftohet varfëria dhe të mundësohet mirëqenia për të gjithë. E posaçërisht u potencua rëndësia e përkrahjes për prodhimin vendor, si mundësi për të përmirësuar bilancin tregtar, duke zëvendësuar importet me eksporte\", thuhet në një komunikatë të LVV-së.
Po ashtu, me theks të veçantë u diskutua edhe modeli i shtetit social që parasheh LVV që ka për pikënisje barazinë, ku Ymeri e Kurti shprehën domosdoshmërinë që Kosova të jetë një shtet social dhe përmenden nevojën që të ndërtohen mekanizma që mundësojnë, por dhe që garantojnë barazinë për të gjithë. Ndër të tjera, ata thanë që ky shtet social e ka për synim që të garantojë qasje në të mirat sociale për të gjithë, duke zhdukur dallimet dhe shtypjen ndaj shtresave e kategroive të ndryshme.
Nga ana tjetër, Nilssson dhe Huhtamäki shprehën kënaqësinë për takimin e mbajtur, duke vlerësuar si të nevojshme që të ketë sa më shumë takime të këtilla.