Kurteshi: Kosova ti ndërpresë bisedimet me Serbinë
Prishtinë, 3 tetor - Deputeti i lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi i cili ka propozuar një rezolutë për gjendjen në veri, u ka bërë thirrje deputetëve ta votojnë këtë rezolutë e cila e obligon Qeverinë të marrë masa për integrimin e veriut në shtetin e Kosovës.
Ai ka vlerësuar se gjendja në veri është e keqe dhe sipas tij, kjo pjesë e territorit është duke shkuar drejt ndarjes nga Kosova.
Në një intervistë për gazetën Epoka e re, ai ka bërë me dije se nëpërmjet kësaj rezolute kërkojnë nga kryeministri ti përdorë mekanizmat e shtetit dhe të mos e lejojë Serbinë të ndërtojë koloni brenda Kosovës, siç ka ndërtuar në kohën e Millosheviqit.
Kurteshi ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet ti ndihmojë edhe financiarisht shqiptarët për ndërtimin e shtëpive të tyre në veri.
Në këtë intervistë, Kurteshi ka kërkuar që Kosova ti ndërpresë bisedimet me Serbinë në Bruksel, pasi sipas tij, është e vetmja formë që serbët e veriut të integrohen në sistemin shtetëror të Kosovës.