Kurban Bajrami, të shtunën
Prishtinë, 2 tetor Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës, ka njoftuar besimtarët dhe opinion e gjerë se dita e parë e Festës së Kurban Bajramit, është të shtunën, më 4 tetor.
Manifestimi qendror për territorin e Kosovës, kushtuar Festës së Kurban Bajramit do të mbahet në xhaminë Sulltan Mehmet-Fatih (Xhamia e Madhe) në Prishtinë. Manifestimi fillon në ora 6:00, me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të jetë ligjërata tematike kushtuar kësaj feste, të cilën do ta mbajë kryeimami i BIK-ut Sabri ef. Bajgora. Namazi i Kurban Bajramit falet në ora 7:13. Hytben e Kurban- Bajramit do ta mbajë sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, Resul ef. Rexhepi. Me rastin e Festës së Kurban Bajramit, ditën e parë, më 4 tetor 2014, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë nga ora 9 -12.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë ua uron Festën e Kurban - Bajramit, duke e lutur Zotin që të na pranojë Haxhin, kurbanin, lutjet e ibadetet tona, është thënë në njoftimin e BIK-ut.