27 Prill 2024

Kuota 30 % në përbërjen parlamentare duhet të ruhet

Prishtinë, 2 nëntor - Grupi i Grave Deputete i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Teuta Sahatqija, kishte sot një takim me delegacionin  parlamentar nga Suedia, të kryesuar nga Jonas Gunnarsson, kryetar i PSD-së.

Delegacioni nga Suedia u interesua për çështje të pozitës së gruas në shoqëri, si dhe për angazhimet e këtij grupi në avancimin e pjesëmarrjes së grave në Kuvend dhe në institucione tjera të vendit.

Teuta Sahatqija dhe Donika Kadaj Bujupi i bënë një vështrim të gjerë aktiviteteve të Grupit të Grave Deputete të Kuvendit të Kosovës, si një faktor i rëndësishëm për avancimin e demokracisë në Kosovë.

Teuta Sahatqija në fillim foli për përbërjen e GGD-së, duke theksuar se të gjitha grupet parlamentare kanë anëtarë në këtë grup, kurse brenda tij nuk ka ndasi partiake, madje ky është grupi më koheziv, sepse pozita e gruas nuk vështrohet  nga përkatësia partiake.

Ajo pastaj foli edhe për kuotën e 30 përqindëshit në përbërjen parlamentare, e cila reflektohet shumë pozitivisht në pozitën e grave, kuotë kjo e cila duhet të ruhet edhe më tutje.

Mirëpo, ajo shprehu pakënaqësi lidhur me pjesëmarrjen jo të duhur të grave në organet udhëheqëse, si: në udhëheqjen e komisioneve parlamentare, në Kryesi, si dhe në Qeverinë e Kosovës.

Ajo angazhohej që në çdo strukturë udhëheqëse të përfaqësohet gruaja, në funksion të  barazisë gjinore, përkatësisht të thyhen stereotipet se vetëm meshkujt duhet të zgjidhen në pozita udhëheqëse.

Në takim u përmend edhe rasti i universitetit, ku pozitat rezervohen për burra , megjithëse femrave nuk u mungojnë kualifikimet përkatëse.

Donika Kadaj Bujupi përmendi edhe kuotën posaçërisht të ulët të pjesëmarrjes së femrës në nivelet lokale të qeverisjes.

Ajo na vazhdim  tha se te qytetarët vërehet një besim më i madh ndaj femrave me rastin e zgjedhjeve.

Gratë po marrin gjithnjë e më shumë vota, nisur edhe nga fakti se ato janë më imune ndaj korrupsionit dhe dukurive tjera negative.

Mysafirët suedezë u njoftuan edhe për aktivitetet shumë të frytshme të GGD-së, në kontakte të vazhdueshme me qytetarë,në debate të ndryshme, pastaj angazhimet në fushata të ndryshme, siç është ajo e luftimit të hershëm të kancerit të gjirit, të aktiviteteve në kuadër të reformës zgjedhore etj.

Në shumë nga këto aktivitete, u tha se gratë deputete përkrahen edhe nga kryekuvendari, presidentja,NDI-ja dhe OSBE-ja, por edhe nga kolegët e tyre deputetë e shoqëria civile.

Zonjat Sahatqija e Bujupi shfaqën kënaqësinë për kontaktin me parlamentarët suedez, në mesin ë të cilëve ishte edhe deputeti Adnan Dibrani, i cili kishte emigruar në Suedi që në fillim të viteve 90.

Ato theksuan se këtë shtet e shohin si shtet ideal. Në këtë frymë bashkëpunimi edhe delegacioni suedez u shpreh se me kënaqësi do të priste Grupin e Grave Deputete në vizitë në Suedi.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)