Kukan vlerëson të arriturat e Kosovës
Prishtinë, 31 tetor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim Delegacionin e Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me vendet e Evropës Juglindore, të kryesuar nga Eduard Kukan.
Në takim u bisedua për zhvillimet aktuale politike në Kosovë dhe për procesin zgjedhor të 3 nëntorit.
Kryeministri Thaçi, në takimin e sotëm prezantoi të arriturat e shtetit të Kosovës në vitet e pas pavarësisë, me theks të veçantë të arriturat në procesin e integrimit evropian.
Republika e Kosovës tashmë ka filluar edhe zyrtarisht negociatat me Komisionin Evropian për marrëveshjen e stabilizim-asociimit dhe shpresojmë shumë se do të përmbyllen sipas dinamikës së paraparë, - theksoi Thaçi.
Kryeministri Thaçi e njoftoi delegacionin e Parlamentit Evropian për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, të cilat zhvillohen për herë të parë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, me pjesëmarrje të të gjitha komuniteteve, që jetojnë në Kosovë.
Kryeministri Thaçi në takim e falënderoi delegacionin e Parlamentit të Evropian për mbështetjen që ky institucion i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset e zhvillimit dhe integrimit.
Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogut ndërshtetëror mes Kosovës dhe Serbisë. Arritja e marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, nga dy bashkëbiseduesit u cilësua marrëveshje historike për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy shteteve dhe me ndikim edhe forcimin e paqes dhe stabilitetit rajonal.
Në emër të Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhënie me vendet e Evropës Juglindore, kryesuesi i këtij delegacioni, Eduard Kukan, vlerësoi të arriturat e shtetit të Kosovës në periudhën e pas pavarësisë.
Në të njëjtën kohë, Kukan theksoi rëndësinë e adresimit të plotë të të gjitha sfidave në rrugën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe shtoi se zhvillimi me sukses i zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 3 nëntor do të jetë një sinjal shumë i rëndësishëm për suksesin e mëtejmë të shtetit të Kosovës.