Kuçi: Ska amnisti për Zharkun, Xhemailin e Grabovcët
Prishtinë, 11 korrik - Dy ish-kryetarët e komunave të Ferizajt e Kaçanikut, të cilët vijnë nga PDK-ja nuk mund ti shpëtojnë burgimit dhe të përfitojnë nga Ligji për amnisti.
Numri dy i qeverisë, Hajredin Kuçi thotë se nuk do të amnistohen as Bajrush Xhemajli, Xhabir Zharku, e as djemtë e Adem Grabovcit, duke hequr dilemat se Ligji i miratuar sot në Kuvendin e Kosovës do ti amnistojë kriminelët.
Krahu i djathtë i Thaçit, Hajredin Kuçi, në emisionin Rubikon të KTV-së ka theksuar madje se ky ligji nuk amniston as krimet e luftës.
Ai tha se Kosova ka marrë disa obligime për ti integruar serbët e veriut dhe se kjo fazë kalon edhe përmes amnistisë, kurse me marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë Serbi janë fituar dy gjëra, integrimi i veriu dhe garancia ndërkombëtare.
Po ashtu, zëvendëskryeministri ka theksuar se Serbia ka hequr dorë nga ndarja e Kosovës, ndërsa ka thënë se bota po e ndihmon që ta integrojë pjesën veriore të territorit. Ai është i bindur se brenda pesë vjetëve Kosova do të jetë pjesë e BE-së, ndërsa ka thënë se pengesa e Kosovës në OKB është Rusia.
Zëvendëskryeministri Kuçi në Rubikon e ka pranuar se ka pasur kompromis me palën serbe edhe për datën e zgjedhjeve lokale.
Gjithashtu ai është shprehur i bindur se PDK-ja, nënkryetar i së cilës është edhe vetë, ka fuqi të fitojë shumicën e komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Ai i ka ftuar partitë politike që të vendosin edhe kamera vëzhgimi gjatë votimeve, për ti hequr dilemat se PDK-ja po vjedh vota.
Ai ka thënë se nuk do të ketë riformatizim të qeverisë.
/ktv/