Kuçi: Raporti thekson pavarësinë institucionale të gjyqësorit
Prishtinë, 24 janar - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në publikimin e raportit për Pavarësinë e Gjyqësorit në Kosovë: Dimensionet institucionale dhe funksionale, të organizuar nga OSBE-ja.
Zëvendëskryeministri Kuçi tha se raporti ka theksuar qartë pavarësinë institucionale të gjyqësorit, si dhe punën e madhe që ka bërë Qeveria e Kosovës për të siguruar pavarësinë institucionale të gjyqësorit dhe për ti krijuar atij kushte sa më të mira të punës.
Dua të përmend përkrahjen e vazhdueshme që kemi ofruar kryesisht përmes Ministrisë së Drejtësisë, por edhe në nivel qeveritar për kërkesat që Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka parashtruar për ne. Këtu përfshihet edhe krijimi i infrastrukturës ligjore e nënligjore, sigurimi i buxhetit për mbi 140 gjyqtarë shtesë për vitin 2011, ngritja e pagave të gjyqtarëve në një nivel shumë të kënaqshëm dhe ndërlidhja e tyre me pagat e ministrave, tha Kuçi.
Lidhur me sfidat e gjyqësorit të paraqitura në raport, Zëvendëskryeministri Kuçi tha se nuk është shumë i kënaqur me pavarësinë e gjyqtarëve në kryerjen e punëve të tyre, sfidë që është përmendur edhe në Raportin e Progresit të vitit 2011, por sipas tij, ngritja e nivelit të profesionalizmit tek të gjithë gjyqtarët, do të ndikojë drejtpërdrejtë edhe në pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre gjatë kryerjes së punëve.
Për këtë, sipas Zëvendëskryeministrit Kuçi, Qeveria e Republikës së Kosovës po mundohet që të investojë sa më shumë në përkrahje të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në mënyrë që të ngritën kapacitet e gjyqtarëve.
Ai me këtë rast përmendi iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë për të krijuar Akademinë e Drejtësisë përmes së cilës do të investohet drejtpërdrejtë në edukimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve e prokurorëve, në mënyrë që të punohet vazhdimisht në kualitetin dhe profesionalizmin e tyre.