Kuçi: përmendja e emrit tim për kryeministe është spekulim
Prishtinë, 9 shkurt - Zëvendëskryeministri në dorëheqje Hajredin Kuçi, nëpërmjet një komunikate për media, ka reaguar ndaj disa shkrimeve në media, ku përmendet emri i tij si pjesë e kalkulimeve për postin e kryeministrit.
\"Po u drejtohem qytetarëve të nderuar të Republikës së Kosovës ndaj disa shkrimeve në media dy herë më parë dhe një shkrim sot ku përmendet emri im si pjesë e kalkulimeve për postin e Kryeministrit\", ka deklaruar ai.
Kuçi ka sqaruar opinionin publik se këto janë vetëm spekulime mediale dhe se ai nuk e ka menduar dhe as që e mendon një gjë të tillë.
Kuçi në mes tjerash ka theksuar se e mbështet fuqishëm të nominuarin për kryeministër nga PDK, Hashim Thaçin.
\"Unë ndihem mirë në pozitat politike që kam dhe mbështes fuqishëm të nominuarin për Kryeministër nga PDK-ja, z. Thaçi, për të cilin kam pasur nderin, që në emër të PDK-së, ta paraqes nominimin e tij. Kryeministri Thaçi është i zgjedhuri i qytetarëve të Republikës dhe i PDK-së dhe ka mbështetjen e plotë demokratike dhe Kushtetuese për këtë post.\"