29 Prill 2024

Kuçi: Pasardhësi i Millosheviçit arrestoi qytetarët shqiptarë

Prishtinë, 16 prill - Zëvendëskryeministri i Kosovës Hajredin Kuçi deklaroi se arrestimet e fundit të qytetarëve të Kosovës në territorin e Serbisë, nga Qeveria Serbe janë ndërmarrë nga pasardhësi i politikës së Sllobodan Millosheviçit, ministrit të Punëve të Brendshme Ivica Daçiç.

Kuçi në një intervistë për RTK, i konsideroi arrestimet e qytetarëve të Kosovës nga policia serbe, si arrestime politike dhe për qëllime të fushatës zgjedhore.

Duke folur për vrasjen e shqiptarit Selver Haradinaj pas një shpërthimi me eksploziv në banesën e tij në lagjen “Tre Rrokaqiejt” në Mitrovicë, zëvendëskryeministri Kuçi theksoi se akti terrorist po hetohet.

Kuçi nënvizoi se EULEX-i nuk është sa duhet aktiv rreth asaj që po ndodh në veri, por sipas tij, kjo vjen edhe për shkak se ky Mision ndërkombëtar ka vështirësi, sepse shpesh pret vendimet nga Brukseli, të cilat janë politike.
Sipas Kuçit, Kosova ka nevojë për ndihmën e misionit EULEX dhe KFOR. Zëvendëskryeministri ka folur edhe për dialogun e mundshëm për veriun e Kosovës, duke thënë se për këtë çështje do të bisedohet me Beogradin, por me qytetarët e veriut, të cilët nuk kanë bërë krime.

Kuçi nënvizoi gjithashtu se në veri të Kosovës nuk përjashtohet mundësia për ndërhyrjen e Policisë së Kosovës me një aksion të ngjashëm me atë të 25 korrikut të vitit të shkuar, kur u vunë nën kontroll pikat kufitare Jarinë e Bërnjakë.

Zëvendëskryeministri i Kosovës shpreson se ndërhyrja do të mund të bëhet në koordinim me forcat e KFOR-it dhe EULEX-it.

Duke iu referuar kërkesës thirrjeve nga Lëvizja Vetëvendosje për vendosjen e gjendjes së jashtëzakonshme në veri të Kosovës, Kuçi thotë se nuk e preferon këtë si zgjidhje të situatës.