Kuçi, paraqiti prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012
Prishtinë, 17 janar - Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, paraqiti prioritetet e Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2012 ku tha se Ministria e Drejtësisë këtë vit veçanërisht do të jetë përgjegjëse për sponsorizimin dhe ndryshimin e ligjeve bazike për Republikën e Kosovës, të cilat dalin si rezultat i strategjisë dalëse të misionit të EULEX-it si dhe të harmonizojë legjislacionin primar dhe atë sekondar që rrjedh nga përfundimi i mbikëqyrjes ndërkombëtare të Republikës së Kosovës.
Si rrjedhojë, Ministria e Drejtësisë sipas tij do të hartojë e më pas Kuvendi i Kosovës do të duhet që të miratojë disa ndryshime të Ligjeve bazë për të siguruar funksionimin e shtetit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës pas përfundimit të pavarësisë së mbikëqyrur.
Veç të tjerash, ministri Kuqi ka theksuar se Ministria e Drejtësisë do të kujdeset që Ligji për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme, Kodi i Procedurës Penale dhe Ligjit për Ekzekutimin e sanksioneve penale të përfundojnë së hartuari në 6-mujorin e parë të këtij viti, derisa Kodi Civil, Ligji për Avokaturën Shtetërore dhe Ligji për themelimin e Akademisë së Drejtësisë, -- do të jenë prioritetet fundamentale në fushën e hartimit të legjislacionit për këtë vit.
Prioritet i MD-së sipas ministrit është funksionimi i plotë i Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe të sekuestruar si dhe profilizimi i Agjencisë që të administroj pasuritë e sekuestruar ose të konfiskuar të pajustifikueshme që rrjedhin kryesisht nga veprat penale te krimit te organizuar, pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.
Po ashtu një nga prioritetet e MD-së sipas tij është miratimi i planit të punës që adreson rekomandimet të bëra nga ekspertët ndërkombëtarë në lidhje me objektivat, procedurat, si dhe stafin për administrimin e pasurisë së sekuestruar ose konfiskuar.
Krijimi i një sistemi të centralizuar të të dhënave, përmes të cilit do të përcillet dhe menaxhohet pasuria e sekuestruara ose te konfiskuar si dhe negocimi i marrëveshjes me ministrin e financave-thesarit për zvogëlimin e kostos se Agjencisë për administrimin e pasurive të konfiskuara nga fondi/assetet e transferuara ne buxhetin e konsoliduar do të jetë prioritet.
Edhe bashkëpunimi i ngushtë dhe efikas ndërinstitucional me Gjykatat, Prokurorinë, Policinë, Doganat dhe organet tjera kompetente për sekuestrimin ose konfiskimin e pasurive me qellim të luftimit të krimit të organizuar dhe sundimit të ligjit në Kosovë do te jetë prioritet i MD-së.