Kuçi: Në veri, vetëm me mjete paqësore
Prishtinë, 8 prill - Pavarësisht raportimit në mediat serbe se Prishtina zyrtare me në krye kryeministrin Hashim Thaçi po përgatit planin policor për ndërhyrje në veri në rast të mosnënshkrimit të marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi, hedh poshtë zëra të tillë, ndërsa thotë se Prishtina vazhdon të kërkojë zgjidhje paqësore.
Jemi të fokusuar në arritjen e marrëveshjes dhe ky është qëllimi ynë.Arritja e marrëveshjes garanton integrimin paqësor dhe të dinjitetshëm të qytetarëve që jetojnë në atë pjesë të vendit tonë, ka thënë Kuçi.
Por, zëvendëskryeministri i Kosovës pranon se mosnënshkrimi i marrëveshjes është sfidues për Kosovën e Serbinë, por edhe për Bashkimin Evropian si ndërmjetës i dialogut. Por ai nuk specifikon se me çfarë sfidash do të përballen vendet.
Ne duam zgjidhje paqësore dhe institucionale në raport paqeje me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, ka thënë Kuçi.
Në këtë ditë mediat serbe kanë publikuar lajme se si Qeveria e Kosovës po përgatit planin për ndërhyrje në pjesën veriore të Kosovës me qëllim të shtrirjes së sovranitetit në tërë territorin e Kosovës.
Ata kanë bërë me dije këtë lajm duke iu referuar deklaratave të para dy ditëve të kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka bërë me dije se mosnënshkrimi i marrëveshjes do të destabilizonte situatën, ndërsa e kundërta do të qetësonte situatën dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë..
/Zëri/