Kuçi: Jemi në funksionalizimin e sistemit të ri të drejtësisë
Prishtinë, 3 mars - Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, u takua me një delegacion të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Shqipërisë (KLDSH), të kryesuar nga zëvendëskryetari, Kreshnik Spahiu.
Në këtë takim u bisedua për mundësitë dhe format e bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, për reformimin e sistemit të drejtësisë.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, tha së Kosova është në fazën e funksionalizimit të sistemit të ri të drejtësisë.
Kemi aprovuar katër ligje që kanë qene bazament për funksionimin e sistemit të drejtësisë, kemi tentuar dhe tentojmë ta bëjmë një infrastrukturë të mirë ligjore, kemi bërë një proces të riemërimit të gjyqtareve dhe prokurorëve. Jemi duke punuar në funksionalizimin e disa institucioneve siç është Noteria, Përmbarimi etj., që do ti ndihmojnë dhe lehtësojmë në masë të madhe gjyqësorit. Si Qeveri do të mbështesim këtë proces, por gjithnjë duke e ruajtur pavarësinë e gjyqësorit, tha zëvendëskryeministri dhe ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi.
Ndërsa, zëvendëskryetari i KLDSH-së, Kreshnik Spahiu, tha së edhe Shqipëria është në fazën e renovimit të kuadrit ligjor.
Realisht jemi në një fazë shumë të rëndësishme ku i gjithë kuadri ligjor është në kuadrin e ndryshimeve dhe renovimit, qoftë për ligjet që merren me organizimin dhe funksionimin e institucioneve të sistemit gjyqësor, qoftë me legjislacionin që lidhet me ligjet materiale dhe procedural. Është një moment shume i rëndësishëm tek ne, pothuajse që të gjitha ligjet që lidhen me organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Gjykatës së Lartë, Ministrisë së Drejtësisë, Gjykatës Kushtetuese, Avokatit të Popullit, janë në kuadrin e riorganizimit, tha zëvendëskryetari i KLDSH-së, Kreshnik Spahiu.
Gjatë takimit u tha së shkëmbimi i përvojave të dy vendeve, është shumë i rëndësishme për reformimin e sistemit të drejtësisë.