Kuçi i kërkoi Serbisë mos ndërhyjë në punët e brendshme
Prishtinë, 7 mars - Qeveria e Kosovës i kërkoi Serbisë që të ketë sjellje evropiane karshi rajonit, përfshirë Kosovën, që të respektojë marrëveshjet ndërkombëtare dhe të mos ndërhyjë në punët e brendshme të shtetit.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka komentuar vendimin e Serbisë për ti mbajtur zgjedhjet lokale edhe në territorin e Kosovës.
Kosova se ka logjikën që tu krijohen pengesa të tjerëve, ndërsa të tjerëve u kërkon që të mos e pengojnë Kosovën. Kjo është logjika jonë, ky është shteti ynë ky është funksioni ynë. Nuk e kemi ndërmend ta dëmtojmë krejt rajonin për veprimet e të tjerëve, ka deklaruar Kuçi.
Bashkësia Ndërkombëtare i ka kërkuar vazhdimisht shtetit serb që të mos planifikojë mbajtjen e zgjedhjeve lokale në territorin e Kosovës, ndërsa pat theksuar rëndësinë e zhbërjes, sa më parë, të strukturave paralele serbe në vend.
Zyrtarët serbë njoftuan se zgjedhjet lokale do të mbahen në të gjitha mjediset ku këshilltarëve u ka kaluar mandati katërvjeçar, pavarësisht nëse janë në jug apo veri të Kosovës.