Kuçi: Ende nuk ka marrëveshje për rindarje të ministrive
Prishtinë, 7 mars - Partia Demokratike e Kosovës nuk po i merr seriozisht paralajmërimet e Behgjet Pacollit se do të dalë nga Qeveria nëse nuk i plotësohen të gjitha kërkesat.
Madje, Hajredin Kuçi ia ka rikujtuar atij se partneriteti nuk zhvillohet duke kërcënuar.
Nënkryetari i PDK-së tha për Express se ende nuk ka marrëveshje për rindarje të ministrive.
Kërcënimet e AKR-së se do të dalin nga koalicioni nëse nuk i plotësohen kërkesat për të marrë poste të tjera nuk janë marrë seriozisht nga Partia Demokratike e Kosovës.
Madje, udhëheqësit e këtij subjekti e kanë demantuar Pacollin se në takimin e fundit në mes udhëheqësve të dy partive është folur për ndarjen e posteve ministrore.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi, ka deklaruar për Express të mërkurën se partneriteti nuk mund të zhvillohet duke kërcënuar, ndërsa ka thënë se gjithçka do të sqarohet mes Kryeministrit dhe Liderit të AKR-së.
Ai ka thënë se nuk e ka pa ende letrën e Pacollit në të cilën kërkohen të paktën edhe dy Ministri.
Unë nuk e kam pa atë letër dhe në takimet që kam qenë unë nuk ka pasur kërcënime të tilla. Mirëpo nuk funksion partneriteti me kërcënime, ka thënë Kuçi.