Kuçi: Durimi i institucioneve do të ketë fund
Prishtinë, 26 shtator - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka siguruar se institucionet e Kosovës do të punojnë me intensitet të plotë për arritjen e mirëkuptimit qytetar në veri të Kosovës.
Mirëpo ka thënë ai, durimi në këtë drejtim do të ketë fund. Ai shtoi se rrugët në veri do të zhbllokohen dhe kjo pjesë e Kosovës do të jetë normale.
Ai ka shprehur përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të vënë rendin dhe ligjin në veri të Kosovës, sikur në çdo pjesë tjetër të vendit.
Këto komente, Kuçi i bëri pas ceremonisë së licencimit të 87 ndërmjetësve të parë të Kosovës, me çrast ka theksuar se institucionet e Kosovës do të punojnë intensivisht për të arritur mirëkuptimin qytetar në veri, por durimi do të ketë fund.
Ne do të punojmë që të sundojë rendi dhe ligji, të ruhet tërësia territoriale dhe shkelësit e ligjit të ballafaqohen me drejtësinë. Poashtu do të zhbllokohen rrugët dhe do të jetë pjesë normale në vendin demokratik. Ne do të punojmë me intensitet të plotë që të kemi mirëkuptimin qytetar atje, për qytetarët tanë serbë, por gjithsesi dua ta them një fjali, durimit tonë do ti vijë fundi edhe në këtë drejtim, ka thënë Kuçi.
I pyetur për dialogun me Serbinë, siç raporton Kosovapress, ai ka thënë se janë të përcaktuara temat që do të bisedohen në raundin e ri, sikur që janë të përcaktuara edhe temat që nuk mund të diskutohen asnjëherë me Serbinë.
Unë besoj që bisedat nuk i bëjnë keq askujt, ne jemi në kohën e demokracisë në kohën e dialogut, por gjithmonë me një mbështetje që e kemi nga BE-ja dhe SHBA-ja, ka thënë Kuçi.