Kuçi: Dialogu në Bruksel ka dhënë rezultate
Prishtinë, 29 dhjetor - Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka thënë se dialogu në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ka dhënë rezultate, veçanërisht në integrimin e veriut.
Kuçi ka thënë për Epokën e re se dialogu në Bruksel ishte rruga më e mirë për integrimin e veriut.
Dua ta them se dialogu ka qenë një proces që ka dhënë rezultate të veçanta, sepse ka qenë rruga më e mirë për integrimin e veriut në mënyrë paqësore dhe të dinjitetshme. Dialogu ka qenë edhe përmbyllje e kapitullit të konfliktit historik në mes të Kosovës dhe Serbisë. Natyrisht, se ka ende punë për implementim të marrëveshjeve dhe për tu arritur ajo që unë e kam quajtur traktat i paqes. Mirëpo hapi i parë ka qenë i guximshëm dhe i vlerësuar nga faktori vendor dhe ai ndërkombëtar, ka thënë Kuçi.
Kuçi ka thënë se ky dialogu ka mbështetjen e Kuvendit të Kosovës. Mos të harrojmë se ky proces ka marrë konsensus në Kuvendin e Kosovës me mbi 90 vota dhe ka fituar legjitimitet edhe në Gjykatën Kushtetuese dhe është mbështetur nga çdo aktor ndërkombëtar, është shprehur Kuçi.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, ka falënderuar partinë e Ramush Haradinajt, AAK-në për kontributin që e ka dhënë në këtë proces dhe partinë e Isa Mustafës, LDK-në për mbështetjen që i ka dhënë këtij dialogu në Kuvendin e Kosovës.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të vazhdojë më 17 janar të 2014-s. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai Serbisë, Ivica Daçiq, në këtë takim pritet ta qartësojnë çështjen e gjykatave dhe mbrojtës civile për të cilat palët pretendojnë se nuk kanë marrëveshje.