Kuçi dhe Janiver diskutojnë për tranzicionin e misionit të EULEX-it
Prishtinë, 10 prill - Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, ka pritur sot në takim shefin e stafit të Planifikimit Civil dhe Mundësive Operacionale (PCMO) të Bashkimit Europian, Gilles Janiver, me të cilin diskutoi për zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë në përfundimin e mandatit të tanishëm të EULEX-it, tranzicionin dhe transferimin e kompetencave tek institucionet vendore.
Gjatë këtij takimi, Ministri Kuçi e ka vlerësuar punën e këtij misioni dhe ka ripërsëritur qëndrimin e tij se fuqizimi i sundimit të ligjit në Kosovë është prioritet.
Palët u pajtuan se tani është e rëndësishme që tranzicioni i EULEX-it dhe transferimi i kompetencave tek institucionet vendore të realizohet në mënyrë të suksesshme.
Janvier tha që institucionet e Kosovës kanë arritur përparim dhe se ky realitet i ri është pranuar nga Bashkimi Evropian.
Misioni po hyn në një periudhë të re të marrëdhënieve ndërmjet BE-së dhe Kosovës, që po shndërrohet në një proces të tranzicionit prej EULEX-it tek institucionet e Kosovës.
Misioni është i vetëdijshëm që ende ka sfida, në veçanti në fushën e gjyqësorit, por Misioni do të mbetet në Kosovë për ta mbështetur dhe forcuar raportin e punës me institucionet e Kosovës për tu ballafaquar me këto sfida.