Ku të sigurohen 5 euro për flamurin e Kosovës
Prishtinë, 4 gusht - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka vlerësuar se gjatë vizitës që i bëri kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa komunës së Ranillugut u krijua një situatë sa qesharake aq edhe e turpshme.
Sikur në shumicën e komunave serbe që udhëhiqen nga kryetarët e Lista Srpska edhe në këtë komunë mungonte flamuri i Kosovës në ndërkohë që nuk mungojnë e as nuk mungoi flamuri i Serbisë.
Në pyetje të gazetarëve pse nuk është vendosur flamuri i Kosovës, kryetari i Ranillugut, pa fije turpi, me një nënçmim dhe i shkarkuar nga çdo përgjegjësi morale, institucionale dhe shtetërore deklaroi se nuk ka para ta blejë flamurin e Kosovës prandaj nuk e ka vendosur në vendin e paraparë për këtë.
\"Në prostituimin e tij verbal shkoi aq larg sa që kërkoi nga të pranishmit ti japin 5 euro për ta blerë flamurin e Kosovës sepse nuk i paska ato para ndonëse merr para nga Buxheti i Kosovës, donacione ndërkombëtare sikur edhe para nga shteti të cilit i shërben realisht, të cilit i bindet gjithmonë, nga Serbia\", thekson KMDLNJ.
Sipas KMDLNJ-së nuk është për tu habitur me qëndrimet e këtij politikani shpërfillës, nënçmues dhe injorues ndaj shtetit nga i cili paguhet sa është brengosës heshtja, mos reagimi apo pranimi i gjendjes faktike të kryeministrit Mustafa dhe ministrave të tij që, duke e luajtur rolin e makushit, nuk e thanë as edhe një fjalë të vetme në mbrojtje të institucionit që e drejton, Qeverinë e Kosovës pjesë e së cilës do të duhej të ishte edhe qeveria e Ranillugut.
Si pjesë e shpurës së kryeministrit Mustafa ishte edhe ministri për Kthim dhe Komunitete që kohë më parë në një televizion serb Kosovës i referohej si: Srpska juzhna pokrajina ( Krahina jugore e Serbisë ).
Për këto diversione parapolitike të kryetarit të qeverisë së Ranillugut dhe ministrit serb për Komunitete dhe Kthim nuk reaguan fare ndërkombëtarët siç janë të zëshëm dhe të shpejtë në reagimet e tyre kur vlerësojnë se të drejtat e serbëve nuk po respektohen sa duhet.
Nuk u dëgjua për së gjalli as, mbushësi i gropave të Prishtinës, ambasadori holandez që nuk e lë asnjë rast pa regjistruar dhe pa reaguar kur institucionet e Kosovës ( qendrore apo lokale ) nuk punojnë sipas kritereve dhe standardeve demokratike të përcaktuara nga ai.
A është ky shembull i mirë se raportet ndëretnike kanë hyrë në rrugë të mbarë dhe se integrimi i serbëve ka tejkaluar retorikën artificiale duke u shndërruar në pozitive dhe konkrete apo është e kundërta e kësaj?
Qeveria e Ranillugut me kryetarin e saj, si dhe ministri i Juzhna Srpska pokrainës janë shembull i keq për rimëkëmbjen dhe forcimin e marrëdhënieve ndëretnike prandaj duhet të injorohen dhe ndaj tyre duhet të merren masat përkatëse.
Ata duhet të përcaktohen; ose duhet ti shërbejnë qytetarëve të Kosovës që i përkasin në aspektin territorial, ose duhet ti shërbejnë Serbisë që faktikisht edhe po e bëjnë pa u penguar nga askush!