Kryeziu: E përkrahi koalicionin LDK-PDK
Prishtinë, 13 maj - Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Eqrem Kryeziu, ka thënë se do të ishte fitore shumë e madhe për Kosovën dhe rrugën e saj evropiane po sikur pas këtyre zgjedhjeve do të bëhej transferi i pushtetit.
Në një intervistë për Epokën e re, Kryeziu ka thënë se LDK-ja është e përgatitur për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 8 qershor. Ai vazhdon të insistojë se do të ishte në interes të Kosovës një koalicion LDK-PDK, i cili do të ofronte garanci për një qeveri antikorrupsion.
Në qoftë se do të kishim garanci nga partitë e mëdha, se tani është koha e fundit kur duhet të trandemi nga përgjumja dhe të bëhet një qeveri antikorrupsion, natyrisht se do ta përkrahja 100 për qind një koalicion LDK-PDK, ka thënë Kryeziu, duke shtuar se, nëse LDK-ja dhe PDK-ja i ofrojnë kuadrot e tyre më të mira, që nuk kanë afera korruptive, atëherë ky koalicion do të ishte në interesin e të gjithëve.
Sipas Kryeziut, oferta e LDK-së për zgjedhjet parlamentar është më e mira, duke thënë se fitorja e LDK-së do të ishte një e mirë për Kosovën.
Në programin e LDK-së janë angazhuar më shumë se 70 ekspertë të fushave të ndryshme, mbi të cilat mbështetet platforma jonë për Kosovën, e cila mendoj se është më e mira. Të them të drejtën unë jam duke bërë të drejtën edhe unë jam duke bërë një parafushatë të vogël. Do të ishte fitore shumë e madhe për Kosovën dhe rrugën e saj evropiane sikur të bëhej transferi i pushtetit, ka thënë Kryeziu.