19 Janar 2025

Kryetari Mustafa vlerësoi lart mbështetjen e Francës për Kosovën

Prishtinë, 19 mars - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa  Mustafa priti sot François Pugeaut, Zëvendësndihmëssekretar për Ballkanin Perëndimor në Drejtorinë e Evropës Kontinentale të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës, dhe znj.  Maryse Daviet, Ambasadore e Francës në Kosovë.

Duke e falënderuar Pugeaut për mbështjen e përhershme të Republikës së Francës për vendit tonë, Kryetari Mustafa theksoi se Franca ka qenë gjithmonë një pikë reference për demokracinë dhe respektimin e lirive dhe të drejtave universale njerëzore.

Gjithashtu, Kryetari Mustafa foli për kontributin e veçantë që Franca ka dhënë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mëkëmbjen e vendit tonë, duke vënë theksin edhe te miqësia e thellë që është ndërtuar në mes dy vendeve që nga koha e Presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.

Ndërsa, Zëvendësndihmëssekretari François Pugeaut rikonfirmoi vendosmërinë e Francës për ta ndihmuar Kosovën në udhën e forcimit të demokracisë së saj të brendshme, si dhe në procesin e integrimit të saj në institucionet ndërkombëtare.

Po ashtu, në këtë takim, Kryetari Mustafa prezantoi qëndrimet e LDK-së sa i përket reformës zgjedhore, përkatësisht Ligjit zgjedhor, çështjes së ngritur së fundmi për një tribunal, që do t’i hetonte krimet e supozuara të luftës nga ish-pjesëtarët e UÇK-së, dialogun me Serbinë etj.

Po ashtu, Kryetari Mustafa foli edhe për përgatitjet e LDK-së për zgjedhjet e përgjithshme, të cilat do të mbahen sivjet. Pasi shprehu bindjen se LDK-ja do t’i fitojë këto zgjedhje, Kryetari Mustafa tha se LDK-ja, me votën e lirë të qytetarit të vendit, do ta udhëheqë Qeverinë e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm, në mënyrë që t’i përshpejtojë proceset e ngecura të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike, si dhe ta rikthejë besimin e qytetarëve në institucione, duke ndërtuar një shtet të mirëfilltë të rendit dhe të ligjit.

“Vizioni i LDK-së është një Kosovë e përparuar, një Kosovë me institucione funksionale dhe të përgjegjshme, të cilat do të punojnë për mirëqenien e qytetarit, si dhe për integrimin sa më të shpejtë të vendit tonë në Bashkimin  Evropian, në NATO dhe në institucionet e tjera ndërkombëtare”, tha Kryetari Mustafa, duke shprehur bindjen se LDK-ja, ashtu siç i ka nisur, edhe do t’i përmbyllë me sukses këto procese, të cilat kanë rëndësi jetike për Kosovën dhe për qytetarët e saj.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)