Kryetari Mustafa uroi Kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Basha

Prishtinë, 23 korrik - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Isa Mustafa i ka dërguar një telegram urimiLulzim Bashës, me rastin e zgjedhjes së tij Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
Në vijim po e japim tekstin e këtij urimi:
I nderuari z. Lulëzim Basha,
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë
Në emër të anëtarësisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës, dhe në emrin tim, dua tju shpreh urimet më të përzemërta për zgjedhjen Tuaj Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë.
LDK-ja e ka përcjellë me shumë vëmendje ecurinë e procesit zgjedhor, nëpër të cilin kaloi PD-ja.
Kemi kënaqësinë e veçantë të konstatojmë se ky proces ishte një shembull i vërtetë i kulturës politike e demokratike jo vetëm për klasën politike në Shqipëri, por edhe për gjithë rajonin.
LDK-ja e çmon lart kontributin e jashtëzakonshëm të PD-së dhe të Kryetarit të deritanishëm të saj, Kryeministrit Sali Berisha, për konsolidimin e shtetit shqiptar dhe integrimin e tij në strukturat euroatlantike, si dhe për mbështetjen e përhershme dhënë Kosovës, lirisë dhe pavarësisë së saj.
Jemi të bindur se, gjatë mandatit Tuaj, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Shqipërisë do ta vazhdojnë traditën e bashkëpunimit të ngushtë në mes vete, e cila është trasuar nga drejtuesit tanë historikë, Presidenti Rugova dhe Kryeministri Berisha.
Duke ju siguruar për ndjenjën e konsideratës sime më të lartë, ju lus që ti pranoni urimet e mia dhe të LDK-së, si dhe dëshirën për suksese në detyrën që demokratët e Shqipërisë ju kanë besuar!
Përzemërsisht,
Dr. Isa Mustafa,
Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës