Kryetari Kastrati i prin aksionit për pastrimin e Mitrovicës
Mitrovicë, 24 maj - Kryetari i Komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, i ka prirë aksionit Ta pastrojmë Mitrovicën 2013 që është mbajtur të premten. Aksioni ka nisur prej oborrit të komunës dhe ka vazhduar në rrugët kryesore dhe sheshet e qytetit.
Kryetari Kastrati është shprehur shumë i kënaqur me zhvillimin e këtij aksioni që do të ndikoj në rritjen e nivelit të pastërtisë. Jam shumë i kënaqur që shoh një pjesëmarrje të madhe të të rinjve në këtë aksion, tha ai.
Ndërsa Fahri Jashari, koordinator i aksionit Ta pastrojmë Mitrovicën 2013, tha se pa përfshirë nxënësit në aksion kanë marrë pjesë rreth 500-600 veta.
Aksionit ju kanë përgjigjur punëtorët e institucioneve të ndryshme, ata të shoqërisë civile, OSBE-së, FSK-së, Unitetit etj.
Sipas tij, me drejtorët e shkollave janë marrë vesh që nxënësit të angazhohen për pastrimin e hapësirave përreth shkollave.
Ndryshe në kuadër të këtij aksioni përveç pastrimit është organizuar edhe mbjellja e luleve nëpër hapësira të ndryshme të qytetit.
Me qëllim të rritjes së pastërtisë dhe gjelbërimit kryetari Kastrati ditë më parë ka urdhëruar kompanitë përgjegjëse mbjelljen e luleve nëpër të gjitha sheshet dhe hapësirat e gjelbëruara në Mitrovicë. Si rezultat rrugët e qytetit janë shndërruar në lulishte të vërteta.