Kryetari i Prizrenit ti rihapë takimet e ekzekutivit
Prizren, 25 prill - Kryetari i komunës së Prizrenit edhe në mandatin e tij të tretë të qeverisjes vazhdon praktikën e takimeve të mbyllura me drejtorët. Mbyllja e takimeve të ekzekutivit ka qenë njëra ndër veprimet më kundërthënëse dhe njëkohësisht më dëmtuese për demokracinë lokale, që është ndërmarrë në mandatit e dytë të kryetarit.
Që nga marrja e një vendimi të këtillë, asnjëherë nuk është dhënë një arsyetim i artikuluar dhe bindës për arsyeshmërinë e kësaj mbylljeje.
Kjo praktikë, e cila bie ndesh me parimet themelore të qeverisjes transparente është dëshmia më e mirë se komuna e Prizrenit po dështon në promovimin e standardeve të qeverisjes së mirë.
Në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë, merren vendimet më të ndieshme rreth menaxhimit të buxhetit komunal.
Forumi Transparenca shpreh pakënaqësinë dhe mospajtimin e vet në lidhje me pamundësinë e mediave, organizatave të shoqërisë civile dhe qytetarëve për të marrë pjesë në takimet e kryetarit të komunës me drejtorët komunalë.
Kjo mbyllje e vendimmarrjes komunale është pengesë direkte ndaj punës së këtyre akterëve, të cilët kanë për qëllim rritjen e informimit publik.
Për këtë arsye, Forumi Transparenca i bën thirrje kryetarit të komunës së Prizrenit që sa më parë të anulojë vendimin për mbylljen e takimeve të ekzekutivit dhe ti rihapë ato duke u mundësuar pjesëmarrjen gazetarëve, monitoruesve të shoqërisë civile dhe qytetarëve.
Çdo vonesë e kryetarit të komunës për realizimin e kësaj kërkese është dështim për të promovuar një standard elementar të qeverisjes transparente dhe cënim i së drejtës së qytetarëve për informim.
Forumi Transparenca është trup joformal i përbërë nga aktivistë të shoqërisë civile dhe gazetarë të Prizrenit, të cilët janë aktiv në fushën e qeverisjes demokratike dhe misioni i tij është koordinimi i veprimeve të këtyre akterëve për të rritur nivelin e transparencës dhe llogaridhënies së qeverisjes lokale të Prizrenit.