Kryetari i LDK-së Isa Mustafa kritikon PTK-në
Prishtinë, 24 qershor - Për 100 ditë qeverisje, qeveria Thaçi nuk bëri asgjë, veçse është marrë me veten dhe po vazhdon të merret me veten, ka thënë kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Këto komente ai i bëri para strukturave të degës së LDK-së në Gjilan.
Mustafa ka thënë se objektiv themelor i LDK-së është ndërtimi i shtetit, derisa ka shtuar se partia e tij ofron alternativë për të qeverisur më mirë.
Ai ka mohuar zërat se LDK-ja është pasive në kuvend, duke thënë se marrëveshja e bërë më herët konsiderohet si fitore e partisë më të madhe opozitare, si shumë e rëndësishme për agjendën zgjedhore dhe u shpreh i bindur se LDK-ja në mënyrë konstruktive po punon në Kuvend.
Kryetari Isa Mustafa ka thënë se nuk po janë të zëshëm rreth privatizimit të PTK-së, ngase nga dy të këqija po e heshtin një të keqe, duke thënë se edhe ashtu PTK-ja është në duart e PDK-së dhe më mirë është që ajo të privatizohet sesa të furnizojë njerëzit e SHIK-ut e të Thaçit.
Sipas tij, me privatizim partia në pushtet nuk do të ketë më nga të financohet.