Kryetari Haradinaj uroi kryetarin e ri të PD-së, Lulzim Bashën
Prishtinë, 23 korrik - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ia përcjelli urimet e tij kryetarit të sapozgjedhur të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili e pason në krye të PD-së kreun e deritashëm të saj, Dr. Sali Berishën.
Kryetari Haradinaj i uroi kryetarit Basha punë të mbarë dhe udhëheqje të suksesshme në krye të PD-së, me bindjen se do të vazhdojë bashkëpunimi i deritashëm midis PD-së dhe AAK-së, në kuadër të memorandumit për bashkëpunim, që ekzisotn midis dy subjekteve tona, si përfaqësuese të spektrit të djathtë politik shqiptar.
Kryetari Haradinaj, gjithashtu, i ka dëshiruar kryetarit Basha suksese në konsolidimin e mëtejmë të PD-së dhe të së djathtës në Shqipëri, si alternativë e zhvillimit dhe prosperimit kombëtar në familjen madhe të vlerave euro-atlantike.
Gjithashtu, kryetari Haradinaj e ka falënderuar dhe pwrgwzuar kreun e deritashëm të PD-së dhe kryeministrin Sali Berisha për punën e madhe dhe me ndikim të jashtëzakonshëm në krye të PD-së dhe të Republikës së Shqipërisë në të gjitha fazat dhe proceset e deritashme të tranzicionit, zhvillimit ekonomik dhe prosperimit demokratik të Shqipërisë, që prej rënies së komunizmit dhe deri sot.