Kryetari Daci uron popullin e Republikës së Kosovës
Prishtinë, 16 shkurt - Kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) akademik Nexhat Daci uroi popullin e Republikës së Kosovës me rastin e 2 vjetorit të shpalljes së pavarësisë.
Në këtë urim ndër të tjera thuhet:
Të nderuar bashkëqytetarë.
Më lejoni që në cilësinë e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Dardanisë të iu uroi 2 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së vendit tonë, Republika e Kosovës.
Me shpalljen e vendit tonë shtet i pavarur dhe sovran, u arrit ideali jonë kombëtar me të cilin dëshmuam para botës dhe kombeve të lira, se njeriu me qëndresën e tij është më i fort se guri, në rast se ideali i tij është i drejt dhe i bazuar në vullnetin e zotit.
Qëndresa jonë dhe përcaktimi ynë e dëshmuan para botës thënien e vjetër se, vullneti i popullit është vullnet i zotit.
Para vetës si shtet i pavarur, demokratik dhe sovran na presin shumë sfida, të cilat duhet ti tejkalojmë me pune dhe me një udhëheqje të denjë, të cilat do ta ndërtonin dhe fuqizonin imazhin e shtetit më të ri në botë, shtetit dhe atdheut tonë të dashur, Republika e Kosovës.
E gëzofshim për jetë shtetin tonë të pavarur.
Nga zemra,
Akademik Nexhat Daci