Kryetarët serbë duhet tu përmbahen ligjeve
Prishtinë, 13 dhjetor - Ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Bajram Rexhepi, ka thënë se nëntë kryetarët e rinj serbë, të cilët kanë dalë fitues në zgjedhjet lokale, duhet tu përshtaten rregullave që aplikohen për të gjitha komunat në Republikën e Kosovës.
Këta përfaqësues legjitimë do ti përshtaten rregullativës që aplikohet për të gjitha komunat e tjera në Republikën e Kosovës dhe ky është një hap i rëndësishëm për inkuadrimin aktiv të qytetarëve në jetën politike dhe institucionale të Republikës së Kosovës, ka thënë Rexhepi në një intervistë për Epokën e re.
Ai ka thënë se përfaqësuesit e Listës Srpska janë përfaqësues të qytetarëve të komunave të Kosovës. Sipas tij, Qeveria e Republikës së Kosovës së bashku me komunitetin ndërkombëtar presin qasje konstruktive dhe bashkëpunuese nga këta përfaqësues me nivelin qendror.
Rexhepi ka vlerësuar se sabotimi nuk është në interes të askujt dhe as në interes të përfaqësuesve të Listës Srpska.
Duke folur për zgjedhjet lokale, Rexhepi ka thënë se Kosova me këto zgjedhje ka kaluar një test demokratik. Kosova në zgjedhjet lokale kaloi testin e rëndësishëm të pjekurisë demokratike, ka thënë Rexhepi.
Ministri Rexhepi në këtë intervistë ka folur edhe për vizitën që ditë më parë ka zhvilluar në Kosovë një mision faktmbledhës i BE-së për liberalizimin e vizave. Ai ka thënë se përshtypjet preliminare të këtyre zyrtarëve janë shumë pozitive për Kosovën.
Përshtypjet preliminare të ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe zyrtarëve të Komisionit Evropian janë se Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm në zbatimin e kritereve që dalin nga udhërrëfyesi për liberalizim të vizave, në veçanti në adoptimin dhe zbatimin e legjislacionit në përputhje të plotë me standardet evropiane dhe krijimin e mekanizmave përkatës në fusha të ndryshme si ajo e ripranimit, ri-integrimit, azilit dhe migracionit, ka thënë Rexhepi.