Kryetarët e komunave shpërfillin ligjin
Prizren, 3 maj - Kryetarët e komunave vazhdojnë të injorojnë obligimet ligjore dhe të neglizhojnë rolin e kuvendeve komunale. Gjatë monitorimit të 11 komunave të Kosovës ku përfshihen (Komuna e Prishtinës, Prizrenit, Gjakovës, Gjilanit, Malishevës, Suharekës, Rahovecit, Graçanicës, Deçanit, Dragashit dhe Mamushës,) tetë nga njëmbëdhjetë kryetarë të këtyre komunave kanë shpërfill ligjin për menaxhimin e financave publike për raportimin edhe publikimin e raportit financiar për periudhat janar-mars 2016.
Derisa tre kryetarët si ai nga Gjilani, Deçani dhe Graçanica kanë raportuar dhe publikuar raportet e tyre financiare për tre mujorin e parë të këtij viti.
Bazuar në Ligjin Nr.05/L-007 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr.03/L-048 për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit Kryetari i Komunës duhet të raportojë shpenzimet financiare tre mujore. Neni 45.4 i ligjit thotë se Kryetari i komunës duhet të përgatitë dhe ti dorëzojë kuvendit komunal raporte tremujore të cilat mbulojnë vitin fiskal deri në fund të tremujorit i cili sapo ka përfunduar. Këto raporte duhet ti dorëzohen kuvendit komunal dhe një kopje duhet ti dorëzohet ministrit brenda tridhjetë (30) ditëve pas përfundimit të çdo tremujori dhe më pas duhet të publikohen nga kryetari i komunës në faqen e internetit të komunës.
Kësisoj, 8 nga 11 komunat e monitoruara nuk kanë respektuar legjislacionin aktual në lidhje me transparencën e shpenzimeve financiare për periudhën janar-mars 2016. Kjo shpërfillje Kryetarëve të Komunave në raportime të rregullta dhe periodike për shpenzimet e parasë publike bie ndesh me qeverisjen e mirë për një administrim, menaxhim, përgjegjshmëri dhe transparencë të plotë në shpenzimin e parasë publike.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) i rekomandon Kryetarët e Komunave përkatëse të cilat nuk kanë sjellë në Kuvend raportet financiare tre mujore të shpenzimeve të respektojnë në plotëni legjislacionin aktual. Po ashtu, kërkon nga Kuvendet e Komunave si organe më të larta vetëqeverisëse lokale të kërkojnë llogaridhënie nga ana e ekzekutivit komunal sidomos në raportimet e rregullta financiarë bazuar në legjislacionin që rregullon ketë fushë.
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që nga janari i vitit 2016 ka filluar zbatimin e projektit në 11 komunat e Kosovës. Projekti ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në nivel lokal me theks të veçantë rritjen e transparencës së shpenzimeve financiare të komunave dhe hapjen e këtyre të dhënave karshi publikut të gjerë.