19 Janar 2025

Kryetarët e komunave jo transparent në vendimet e tyre

Prishtinë, 11 maj - Instituti Demokratik i Kosoves (KDI) ka vlerësuar se vendimmarrja e kryetarëve të komunave vazhdon të jetë jo transparente.

KDI konstaton se baza ligjore që rregullonte transparencën në nivel lokal përjashtonte në mënyrë absolute transparencën dhe vendimmarrjen e kryetarëve të komunave.

Ky boshllëk ligjor sipas KDI-së ka bërë që kryetarët e komunave t’i ikin përgjegjësisë dhe llogaridhënies për vendimet e tyre në raport me  publikun.

Amandamentimet e fundit në Udhëzimin Administrativ për transparencë komunale 01/2015 nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) i hyrë në fuqi nga janari i vitit 2016, në mënyrë decidive obligojnë kryetarët e komunave që t’i publikojnë vendimet e tyre edhe në ueb faqen zyrtare të Komunave.

Pavarësisht këtyre ndryshimeve të rëndësishme, 8 nga 11 kryetarët e komunave në të cilat KDI monitoron institucionet lokale (Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Gjilan, Malishevë, Suharekë, Rahovec, Graçanicë, Deçan, Dragash dhe Mamushë) vazhdojnë të mos u përmbahen këtyre parimeve bazë të qeverisjes llogaridhënëse.

Të përgjegjshëm në këtë drejtim janë treguar vetëm kryetarët e komunave të  Prizrenit, Prishtinës dhe Rahovecit, të cilët kanë  publikuar vendimet e tyre për periudhën janar – maj 2016.

Megjithatë, duke marrë parasysh karakterin e vendimeve të kryetarëve të komunave të cilët kanë karakter administrativ dhe hynë në fuqi menjëherë, edhe kryetarët të cilët kanë filluar në publikimin e vendimeve kanë vonesa të konsiderueshme.

Si të zgjedhur të drejtpërdrejtë nga qytetarët, kryetarët e komunave duhet të jenë shumë më të hapur dhe më llogaridhënës në bërjen publike të vendimeve të tyre. Artikulimi publik i këtyre vendimeve që prekin direkt jetën e qytetarëve, përveç që i kontribuon qeverisjes së mirë, ndihmon në promovimin e vetë punës së kryetarëve.

KDI kërkon nga Kryetarët e Komunave të bëjnë publike vendimet e tyre konform përgjegjësive me legjislacionin aktual. Për më tepër, kërkon nga Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal (MAPL) të ushtrojë autoritetin e saj  drejt krerëve të komunave në përmbushjen e obligimeve  ligjore, e me këtë publikimin e vendimeve të tyre në ueb faqet zyrtare.  

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) që nga janari i vitit 2016 ka filluar zbatimin e projektit në 11 komunat e Kosovës. Projekti ka për qëllim rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në nivel lokal me theks të veçantë rritjen e transparencës së shpenzimeve financiare të komunave dhe hapjen e këtyre të dhënave karshi publikut të gjerë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)