Kryesia vendos nesër për seancën e radhës te Kuvendit
Prishtinë, 21 shkurt - Kryesia e përbërjes së re të Kuvendit të Republikës së Kosovës ka mbajtur sot mbledhjen e parë të saj, të drejtuar nga kryetari i sapozgjedhur, Jakup Krasniqi, për të shqyrtuar mundësinë e procedimit për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës dhe të Qeverisë së vendit.
Duke e shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të PDK-së për plotësimin e rendit të ditës së seancë konstitutive me dy pika shtesë: zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe zgjedhjen e kabinetit qeveritar, Kryesia ka vendosur që kërkesa nuk është në përputhje me nenin 42, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit.
Pas komunikimit deputetëve të këtij vendimi, nga ana e kryeparlamentarit Krasniqi, në foltoren e Kuvendit ka dalë nënkryetari PDK-së, Hajredin Kuçi, i cili ka sqaruar që grupi i tij parlamentare ka shtruar edhe njëherë mocionin, sipas Rregullores së Kuvendit, për seancë të jashtëzakonshme shoqëruar me më shumë se 50 nënshkrime për zgjedhjen e Presidentit dhe të Qeverisë së Kosovës.
Mbledhja e Kryesisë, për shqyrtimin e kësaj çështje, është thirrur për të martën, më 22, shkurt, në orën 10:00.