Kryesia konfirmoi rendin e ditës për seancën e 28 prillit
Prishtinë, 26 prill - Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e saj të rregullt, të drejtuar nga dr. Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, në të cilën ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, ka konfirmuar rendin e ditës për mbledhjen plenare të 28 prillit.
Pas dy pikave të përhershme të mbledhjeve të rregullta plenare të Kuvendit: çështje jashtë rendit të ditës dhe pyetje parlamentare për punën e Qeverisë së Kosovës, në seancën e 22 prillit deputetët do të shqyrtojnë: Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-010 për noterinë, Projektligjin për shërbimet e sigurisë private, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L -123 për shoqëritë tregtare, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L-069 për akreditim, Projektligjin për gjendjen civile dhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2004/18 për tregtinë e brendshme.
Në po këtë seancë do të shqyrtohet Plani i veprimit të Kuvendit për integrime evropiane, për vitin 2011, kurse do të nxirret për miratim Rezoluta për angazhimin e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
Po në mbledhjen e sotme Kryesia ka shqyrtuar Propozim-Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, lidhur me emërimin e anëtarit në Këshillin Drejtues të Institutit Gjyqësor të Kosovës, duke e ngarkuar Komisionin për Legjislacion që të përgatisë raportin me rekomandime për miratim nga Kuvendi.
Kryesia e ka shqyrtuar rekomandimin e komisioneve përkatëse për Raportin vjetor të Radiotelevizionit të Kosovës, për vitin 2010, i cili do të nxirret për miratim në seancën e parë të muajit maj.
Anëtarët e Kryesisë, ndërkaq, pasi e kanë shqyrtuar në mënyrë të gjithanshme iniciativën e grupit të deputetëve për debat parlamentar, për disatancim të Kuvendit ndaj krimeve të pasluftës në Kosovë, kanë vlerësuar se çështja duhet të shqyrtohet edhe një herë në mbledhjen e javës së ardhshme dhe kanë kërkuar nga iniciuesi i debatit konkretizim më të qartë të temës për debat parlamentar.
Fare në fund të takimit nënkryetarëve të Kuvendit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare u është prezantuar Projekti E-Parlament (parlamenti elektronik).