Kryesia e Kuvendit dështon në shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale
Në mungesë të kuorumit, Kryesia, dy herë radhazi nuk arriti të marrë vendim për procedimin e këtij projektligji për mendim në qeveri.
Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe nuk i kanë dërguar përfaqësuesit e tyre në mbledhjen e Kryesisë me çka e kanë pamundësuar kuorumin për vendimmarrje. Në mbledhje kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën.
Sipas procedurës, Kryesia e Kuvendit duhej që ta procedonte propozimin për ndryshimin e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe më pas, Qeveria ta dërgonte atë në Kuvend për miratim. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli tha se përpjekjet për seancë të jashtëzakonshme përfundojnë këtu për të vazhduar ditëve në vijim.
Lidhja Demokratike e Kosovës, konsideron se shfuqizimi i Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar mund të prodhojë situata të reja, që sipas tyre do të rrezikonin stabilitetin dhe do të dëmtonin subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.