Kryeparlamentari Krsniqi kërkon lista të hapura me një kandidat
Prishtinë, 5 prill - Kryetari i Kuvendit të Kosovës Jakup Krasniqi në seancën e sotme të radhës ka hedhur një varg kritikash për partitë politike për zvarritje dhe mungesë të vullnetit politik sa i përket reformës zgjedhore.
Duke folur në Kuvend lidhur me raportet e Institucioneve Ndërkombëtare për zhvillimet në Kosovë, Krasniqi është ndalur vetëm në segmentin e zgjedhjeve, pasi sipas tij parregullsitë në zgjedhje janë evidentuar shumë në këto raporte.
Por, sipas tij, parregullsitë në zgjedhje janë problem i shkuar dhe se tani do të duhej të mendohej se si të shmangeshin problemet e shkuara në të ardhmen.
Krasniqi ka thënë se burimi kryesor i parregullsive është te shumësia e votave, në rastin kur një votuesi i duhet të votojë për subjektin politik dhe pesë kandidatë.
Më së miri, sipas tij do të ishte thjeshtësimi i këtij sistemi i cili do të përmirësonte rezultatet dhe mënyrën e votimit. Ai ka propozuar që më së shumti zgjedhësi të ketë mundësinë të votoj për subjektin partiak dhe vetëm një kandidat. Lista të hapura me një kandidat, ka qenë kërkesa e Krasniqit.
Sipas Krasniqit, rezultati i zgjedhjeve do të ishte rezultati i qytetarëve dhe vetëm kështu Kosova do të kryente ABC-në e demokracisë.
Nëse vazhdohet me pesë kandidatë në listë rezultati përfundimtar nuk do të jetë as vullneti qytetar i shprehur në votim por nuk do të jetë as mundësia që kandidati të mbrojë votat e veta, ka thënë ai.
Krasniqi ka theksuar se është i bindur se nëse vazhdohet me sistemin e hapur me pesë kandidat do të përsëriten prapë problemet e mëparshëm.