Kryeparlamentari Krasniqi vazhdon vizitën në Portugali
Lisbonë, 16 maj - Në kuadër të vizitës zyrtare në Portugali, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi dhe delegacioni që e shoqëron, është pritur mbrëmë në takime të veçanta nga deputetët e Parlamentit portugez: Teresa Anjihno dhe Joao Serpa Olvia nga Partia Popullore, Antonio Costa Rodrigues nga Partia Social Demokrate, parti këto në bllokun qeveritar, si dhe nga kryetarja e Partisë Socialiste, në opozitë, Maria de Belem Roseria.
Duke shprehur kënaqësinë që patën rastin të njihen me zhvillimet e fundit në Kosovë, parlamentarët portugez vlerësuan se Kosova është duke ecur në rrugë të drejtë, ndërsa konfirmuan mbështetjen e shtetit të tyre edhe në të ardhmen.
Mikpritësit u interesuan për situatën e sigurisë në vendin tonë, marrëdhëniet me Serbinë, si dhe zhvillimet në veri. Ata shprehën interesimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve.
Kryeparlamentari Krasniqi falënderoi parlamentarët portugez për mikpritjen, për qëndrimin e Portugalisë ndaj Kosovës, mbështetjen ushtarake, si dhe njohjen e pavarësisë që në vitin e parë të shpalljes së saj.
Kreu i Kuvendit tha se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve janë miqësore, por shtoi se ato duhet të zhvillohen edhe më tej, veçanërisht në fushën politike, ekonomike e kulturore.
Duke folur për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, kryeparlamentari Krasniqi kërkoi nga deputetët portugezë që të ushtrojnë ndikimin e tyre që edhe pesë shtetet anëtare të BE-së, të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë, si dhe te shtete të tjera, mike të Portugalisë.
Takimet, të cilat u zhvilluan në frymë të hapur e miqësore, u konsideruan si mundësi për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërparlamentare ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë.
Delegacioni parlamentar pritet të takohet edhe me personalitete të tjera të larta portugeze.