Kryeparlamentari Krasniqi udhëtoi për vizitë zyrtare në Kuvajt
Prishtinë, 24 maj - Delegacioni parlamentar i Kosovës do të ketë takime me kryetarin e Asamblesë Nacionale të Kuvajtit Al-Kharafi, me kryeministrin Al-Sabah, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të këtij vendi.
Me ftesë të kryetarit të Asamblesë Nacionale të Kuvajtit, Shkëlqesisë së Tij, Jassim Mohammad Al-Kharafi, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi do të qëndrojë për vizitë zyrtare në shtetin e Kuvajtit nga 24 deri më 27 maj 2010.
Gjatë kësaj vizite kryeparlamentari Krasniqi do të shoqërohet nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit: Xhavit Haliti, Ibrahim Gashi dhe Naim Maloku, si dhe nga Mehmet Hajrizi, shef i Kabinetit dhe Skender Reçica, këshilltar për protokoll dhe marrëdhënie ndërkombëtare.
Përveç takimit me homologun e tij Jassim Mohammad Al-Kharafi, delegacioni parlamentar i Kosovës pritet të takohet edhe me kryeministrin e Kuvajtit, Shkëlqesinë e Tij Sheik Naser Al Mohammad-Al-Ahmad Al-Sabah, si dhe me zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit të Kuvajtit.