Kryeparlamentari Krasniqi u kthye nga vizita në Hungari
Prishtinë, 13 tetor - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, i shoqëruar nga nënkryetari Xhavit Haliti, është kthyer sot në atdhe nga Hungaria, ku mori pjesë në Konferencën e Parlamenteve të Vendeve të Ballkanit Perëndimor, që u mbajt në Budapest.
Në këtë konferencë u bisedua për bashkëpunimin fqinjësor e rajonal, si dhe për kriteret për integrime në BE, ndërsa morën pjesë të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor.
Me këtë rast kryeparlamentari Krasniqi mbajti dy fjalime: Perspektiva e Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe Dimensionet e sigurisë dhe të bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor.
Në fjalimet e tij, Krasniqi tha se bashkëpunimi për më shumë siguri, është jo vetëm i rëndësishëm, ai nuk shfaq vetëm vlera miqësie midis shteteve tona, nuk është vetëm shenjë që tregon ekzistencën e raporteve të mira midis palëve, por është domosdoshmëri.
Ai tha se dimensionet e bashkëpunimit në Ballkanin Perëndimor, gjatë këtyre viteve, kanë pasur ngritje të kënaqshme bashkëpunimi ekonomik, politik, në siguri etj., dhe se ky bashkëpunim duhet të thellohet e të strukturohet në të gjitha fusha e jetës.
Duke folur për integrimin dhe perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor, kryeparlamentari Krasniqi theksoi se pa ndihmën e çmuar të Evropës dhe të vendeve të tjera mike, kjo rrugë do të ishte shumë më e vështirë.
Ne, duhet të mësojmë nga vlerat themeluese dhe ekzistuese të BE-së, që këto vlera ti vendosim edhe në vendet tona, edhe në rajonin tonë, se vetëm kështu do të meritojmë perspektivën evropiane e më pas integrimin evropian. E them me përgjegjësi, vendi dhe populli im nuk kanë alternativë tjetër, veç asaj të integrimit në NATO dhe në BE, u shpreh kryeparlamentari Krasniqi
Ai shtoi se edhe pse në rrethana të veçanta, Kosova ka shënuar sukses të konsiderueshëm.
Sipas Krasniqit, progres i padiskutueshëm është arritur edhe në fushat jetike, si arsimi dhe shëndetësia, investimet publike, rendi dhe siguria.
Ato janë shtrirë në të gjithë vendin dhe ne jemi në rrugën e plotësimit të kritereve dhe të standardeve evropiane, tha kreu i legjislativit të vendit.
Gjatë kësaj konference, kryetari Krasniqi pati një takim me kryetarin e Kuvendit Kombëtar të Hungarisë, Laszlo Kover, i cili shfaqi gatishmërinë e tij dhe të shtetit hungarez për ta ndihmuar Kosovën edhe në të ardhmen.
Kryetari Krasniqi zhvilloi takime të shkurtra edhe me kryetaren e Parlamentit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, të Malit të Zi, Ranko Krivokapiq, të Maqedonisë, Тrајkо Velanovski dhe atë të Kroacisë, Lluka Bebiq.
Presidenti i Hungarisë, Pal Shmit, ndërkaq, organizoi pritje për të gjitha delegacionet pjesëmarrëse.