Kryeparlamentari Krasniqi priti familjarë të martirëve të luftës
Prishtinë, 15 maj - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, ka pritur sot një delegacion të familjareve të martirëve të luftës me të cilët ka biseduar për pozitën ekonomike dhe sociale të këtyre familjeve që i kontribuuan lirisë së Kosovës.
Përfaqësueset e familjeve të martirëve të luftës ia kanë përcjellë kryeparlamentarit Krasniqi mesazhin nënave dhe garave të martirëve në masakrat e Çyshkut, të Krushës së Madhe, të Reçakut, të Mejes e të Izbicës që institucionet e Kosovës të bëjnë më shumë për familjarët e martirëve.
Ato kanë përcjellë kërkesën që të ndryshohet Projektligji ( në procedurë parlamentare) për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, viktimave civile dhe familjeve të tyre. Ato kanë kërkuar shprehimisht që emërtimi Viktimë e luftës të bëhet Martir i luftës. Ato ndërkaq kanë kërkuar që të shtohen kontributet financiare për familjet e martirëve ( aktualisht janë 135 euro); të hiqen tatimet në pronë në gjendje të rëndë ekonomike; të hiqen edhe taksat gjyqësore e administrative për të gjithë familjarët, si dhe të krijohen lehtësi për shkollim dhe punësim të fëmijëve të këtyre familjeve.
Kryeparlamentari Krasniqi ka shprehur solidaritetin me familjarët e martirëve të luftës, duke theksuar se i mirëkupton kërkesat dhe brengat jetësore të tyre.
Ai është shprehur i bindur se kërkesa për ndryshimin e Projektligjit për dëshmorët... është e realizueshme dhe se kjo kërkesë do të kalojë nëpërmjet komisionit funksional që është duke e shqyrtuar projektligjin në fjalë. Krasniqi ka theksuar se i0 kupton edhe n nevojat ekonomike dhe sociale të këtyre familjeve, por ka përkujtuar gjithashtu për vështirësitë financiare të Kosovës. Me gjithë buxhetin varfër të Kosovës, gjithherë ka mundësi që me një ndarje me drejtësi të këtij buxheti të gjenden mjete për mbështetjen e të gjitha kategorive të shoqërisë në nevojë, ka thënë Krasniqi.
Në këtë takim ka marrë pjesë edhe deputetja, Teuta Haxhiu, e cila ka marrë për sipër që të iniciojë procedurat për ndryshimin e Projektligjit për dëshmorët...në favor të familjarëve të martirëve të luftës.