07 Maj 2024

Kryeparlamentari Krasniqi po qëndron në Zvicër

Prishtinë, 7 mars - Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi, në krye të një delegacioni parlamentar, ka filluar vizitën zyrtare në Zvicër.

Me të arritur në Bernë, të martën, kryetari Krasniqi dhe delegacioni, në orët e pasdites zhvilluan takimet e para me drejtorin e Drejtorisë për Zhvillim dhe Bashkëpunim, Martin Dahinden dhe me kryetarin e Qytetit të Bernës, Alexander Tschäppät. Ndërkaq, në mbrëmje, në ambientet e Ambasadës së Kosovës në Zvicër, ambasadori Naim Mala organizoi pritje për delegacionin. 

Sot, delegacioni parlamentar nga Kosova u prit në takime të ndara nga kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, z. Hansjörg Walter, Komisioni për Politikë të Jashtme i Këshillit Kombëtar të Zvicrës dhe shefi i Departamentit të Punëve të Jashtme, Didier Burkhalter.

Kryetari Krasniqi i njoftoi mikpritësit me zhvillimet në Kosovë, ndërtimin e institucioneve demokratike dhe me objektivat e tyre, njohjet ndërkombëtare, për punën e Kuvendit etj.

Kryeparlamentari u shprehu mirënjohje miqve zviceranë për mbështetjen e shtetit të tyre ndaj Kosovës në periudhat e rënda nëpër të cilat ajo ka kaluar. Ai përmendi edhe marrëveshjet që Kosova dhe Zvicra kanë arritur, duke kërkuar që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të thellohen dhe zgjerohen më tej.

Kryetari i Këshillit Kombëtar zviceran shprehu respektin për Kosovën dhe të kaluarën e saj.

“Ne e kemi mbështetur Kosovën, sepse jemi ndier afër saj”, tha Walter, ndërsa përmendi prezencën e madhe të qytetarëve të Kosovës në Zvicër dhe mundësinë që edhe ata të investojnë në Kosovë.

Në këtë kontekst, u fol edhe për shkollimin e të rinjve të Kosovës në Zvicër dhe arritjet e tyre atje, në shumë lëmenj. 

Kryetari Krasniqi i bëri ftesë homologut të tij zviceran që ta vizitojë Kosovën.

Delegacioni pati një takim tjetër me Komisionin për Politikë të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Zvicrës, gjatë të cilit, nga anëtarët e këtij komisioni u shtruan shumë pyetje.

Kryetari Krasniqi iu përgjigj interesimit të parlamentarëve zviceranë për çështje të ndryshme, si: zhvillimi ekonomik i Kosovës, dialogu e marrëdhëniet me shtetet fqinje, korrupsioni e krimi i organizuar, raporti i Dik Martit etj.

Një takim i veçantë u zhvillua edhe me shefin e Departamentit të Punëve të Jashtme, Didier Burkhalter, me të cilin u bisedua për aspekte të ndryshme ndërkombëtare të Kosovës.
 
Sot në orët e pasdites, delegacioni do të takohet me kryetarin e Këshillit të Shteteve, zHans Altherr, kurse në mbrëmje do të kenë një konferencë të përbashkët shtypi kryetari Krasniqi dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Zvicrës.

Delegacioni do të ketë takime edhe gjatë ditës së nesërme.

Kryetari i Kuvendit po qëndron në Zvicër me ftesë të kryetarit të Këshillit Kombëtar të Zvicrës, ndërsa është i shoqëruar nga Safete Hadërgjonaj, kryetare e Komisionit për Buxhet dhe Financa, Teuta Sahatqija, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Fikrim Damka, kryetar i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, Mehmet Hajrizi, shef i kabinetit të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës dhe Skender Reçica, këshilltar për Protokoll dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)