Kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan sot viziton Kosovën
Prishtinë, 3 nëntor - Kryeministri i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan të mërkurën dhe të enjten do të qëndrojë për vizitë zyrtare në Kosovë.
Kryeministri turk do të zhvillojë takime zyrtare me ushtruesin e detyrës së Presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqin dhe me kryeministrin e vendit Hashim Thaçin.
Zyra për shtyp e kryeministrit turk thekson gjithashtu se Erdoan do të vizitojë vendet e trashëgimisë kulturore turke në Kosovë, si dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e projekteve të ndryshme të zhvilluara nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Zhvillim.
Më pas kryeministri Erdogan do të qëndrojë në Prizren, me ç`rast në orën 16:25 minuta do t`u drejtohet qytetarëve në `Sheshin Shadërvan` të qytetit.
Në axhendë bëhet e ditur se kryeministri turk do të marrë pjesë në seancën solemne të Kuvendit Komunal të Prizrenit, në të cilën do të nderohet me titullin e lartë Qytetar Nderi i Prizrenit.
Nesër, kryeministri turk, do të marrë pjesë në një ceremoni solemne, në të cilën do të nderohet me titullin Doctor Honoris Causa i Universitetit të Prishtinës.