Kryeministri Thaçi: Veriu i Kosovës nuk do të ketë status special
Prishtinë, 20 qershor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka deklaruar mbrëmë në Sofje të Bullgarisë se veriu i Kosovës nuk do të fitoj status special dhe se nuk do të ketë kurrfarë ndarjeje territoresh, por ka theksuar se do ta paraqes planin për integrimin e serbëve në pjesën veriore të Kosovës.
Këto komnete zoti Thaçi i bëri në intervistën për Radion Kombëtare të Bullgarisë.
Nuk do të ketë status special për veriun e Kosovës, e as ndarje të territoreve, tha Thaçi dhe shtoi se do të propozoj një plan për integrimin e serbëve, që jetojnë në këtë pjesë të Kosovës dhe kjo do të bëhet në mënyrë të njejtë siç janë integruar serbët në pjesën qendrore dhe jugore të Kosovës, tha kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili në Bullgari qëndroi në vizitë zyrtare dyditëshe.
Gjatë vizitës zyrtare në Bullgari, më 18 dhe 19 qershor 2012, Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi u takua me krerët më të lartë të shtetit bullgar, me përfaqësues të Odës Ekonomike dhe mbajti një ligjëratë në Klubin Atlantik të Bullgarisë (ACB).
Ligjërata e kryeministrit Thaçi fokusohej në vizionin politik të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e cila më 2 korrik do ta mbyll Mbikëqyrjen e Ndërkombëtare të Pavarësisë.
Po ashtu, vend të veçantë zinin aspekte të sigurisë, si dhe vizioni bashkëkohor i ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, krijimi i stabilitet rajonal, tejkalimi i urrejtjes ndëretnike dhe përvetësimi i vlerave euroatlantike.
Ligjërata u mbajt para një auditori të respektuar akademik, analistëve dhe figurave të shquara të jetës publikë bullgare.