Kryeministri Thaçi uron kancelaren Merkel
Prishtinë, 23 shtator - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, uron kancelaren gjermane, Angela Merkel, për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Gjermani.
Në telegram thuhet:
E nderuara kancelare Merkel,
Kam nderin dhe privilegjin e veçantë që në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, tju shpreh urimet më të sinqerta për fitoren Tuaj, në zgjedhjet parlamentare të 22 shtatorit.
Fitorja e konceptit tuaj politik dëshmon besimin e popullit gjerman në Ju, politikën parimore dhe të suksesshme që udhëhiqni.
Zgjedhjet e djeshme dëshmuan edhe njëherë kulturën e lartë demokratike të popullit gjerman dhe vlerat që ngërthen në vete demokracia gjermane.
Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e saj, janë thellësisht të bindura se me politikën progresive dhe vizionin tuaj, do të ndihmoni jo vetëm Gjermaninë, si vendi me ekonominë më të fuqishme në Evropë, por edhe stabilitetin ekonomik dhe politik të Bashkimit Evropian.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson lartë mbështetjen e Qeverisë së Gjermanisë dhënë Kosovës në të gjitha periudhat, me theks të veçantë mbështetjen për perspektivën evropiane të Kosovës.
Me këtë rast, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës shpreh gatishmërinë dhe vullnetin që të vazhdojmë të thellojmë bashkëpunimin me Qeverinë tuaj, në të gjitha fushat e interesit të përbashkët.
Hashim Thaçi,
Kryeministër i Republikës së Kosovë