Kryeministri Thaçi takoj Sekretarin e OSBE-së Lamberto Zannier
Prishtinë, 17 prill - Kryeministri i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi sot takoi Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së Lamberto Zannier .
Temë kryesore e këtij takimi ishte gjetja e modaliteteve adekuate për lehtësimin e procesit zgjedhor të qytetarëve të Kosovës të komunitetit serb për votimin e tyre në zgjedhjet paralmentare të Serbisë të parapara të mbahen në muajin maj.
Në këtë kontekst, kryeministri Thaçi theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës do ta respektojnë në tërësi të drejtën e garantuar kushtetuese të qytetarëve të Kosovës më dyshtetësi, për të votuar në zgjedhjet parlamentare.
Mirëpo duke pasur parasysh faktin se Serbia ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës dhe për rrjedhojë nuk ka ambasadën e saj në Kosovë, atëherë është e domosdoshme që kjo e drejtë të realizohet përmes një organizate ndërkombëtare, konkretisht OSBE-së, theksoi kryeministri Thaçi.
Ndërsa sa i përket tendencave për mbajtjen e zgjedhjeve lokale të Serbisë në Republikën e Kosovës, kryeministri Thaçi ritheksoi edhe një herë se një gjë e tillë nuk do të tolerohet në asnjë mënyrë sepse është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës dhe gjithashtu edhe Rezolutën 1244.
Nga ana e tij, Zannier theksoi se OSBE-ja është duke e marrë seriozisht në konsideratë kërkesën e Qeverisë së Republikës së Kosovës për të lehtësuar organizimin e votimit për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb me dyshtetësi në zgjedhjet parlamentare të Serbisë dhe se një vendim përfundimtar lidhur më këtë çështje pritet të merret deri kah fundi i kësaj jave.