Kryeministri Thaçi sot informon Kuvendin rreth takimit me Daciqin
Prishtinë, 1 nëntor - Në seancën e sotme të Kuvendit të Republikës së Kosovës do ti drejtohet kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, për ta informuar lidhur me takimin e tij me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiq.
Kjo është vendosur të henën në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, pas takimit të Thaçit dhe Daçiqit të cilët janë takuar më 19 tetor në Bruksel, nën praninë edhe të shefes për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Takimi i tyre është mbështetur nga diplomatët e Perëndimit, ndërsa në Prishtinë ka nxitur protesta të Lëvizjes Vetëvendosje.
Partia më e madhe opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka thënë se dialogu është mënyra më e mirë për zgjidhjen e problemeve, por duhet respektuar fuqishëm parimin e dialogut ndërmjet dy shteteve sovrane.
Në vazhdim të seancës do të shqyrtohen për herë të parë: Projektligji për Odat e Profesionistëve Shëndetësorë, Projektligji për kontrollin e duhanit, Projektligji për ekzekutimin e sanksioneve penale, Projektligji për sistemin e pagesave, si dhe Projektligji për zonat ekonomike.
Për herë të dytë, ndërkaq, do të shqyrtohet Projektligji për regjistrimin e pengut në regjistër për sendet e luajtshme.
Në të njëjtën seancë deputetët do të shqyrtojnë: Raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit të Punës, si dhe Rekomandimin e Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e tre anëtarëve në Bordin për Ankesa të Mediave.