Kryeministri Thaçi raporton para deputetëve për procesin e dialogut
Prishtinë, 28 mars - Në seancën e sotme të Kuvenit të Republikës së Kosovës Kryeministri, Hashim Thaçi, do të raportojë para deputetëve për takimin e shtatë me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç të zhvilluar në Bruksel me ndërmjetësimin e Baroneshës Catherine Ashton..
Thaçi ka takuar javën e kaluar Daçiqin për rrethin e shtatë të bisedimeve, të cilat kanë për qëllim normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Procesi zhvillohet në Bruksel dhe ndërmjetësohet nga shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton.
Kryeministri Thaçi ka shprehur shpresën që, në takimin e ardhshëm që do të zhvillohet më 2 prill në Bruksel, të tregohet vullnet dhe përgjegjësi për rrethanat, kushtet dhe ambientin e ri dhe Serbia të kuptojë dhe të tregojë gatishmërinë e saj për fqinjësi të mirë edhe me Kosovën, të tregojë gatishmërinë e saj për normalizimin e marrëdhënieve në mes dy vendeve.