Kryeministri Thaçi përgëzon liderin britanikë, David Cameron
Prishtinë, 12 maj - Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi përgëzon liderin e konservativëve britanikë, David Cameron me rastin e zgjedhjes kryeministër i Britanisë së Madhe. Në tekstin e telegramit të urimit thuhet:
Shkelqësia Juaj, kryeministër Cameron,
Mbajtja e zgjedhjeve të përgjithshme në Britaninë e Madhe ishte ngjarje e cila dëshmoi se vendi juaj është atdhe i vërtetë i demokracisë, konkurrencës politike, votës së lirë dhe shprehje e vullnetit të qytetarëve.
Pas rezultatit zgjedhor sërish dolën në pah vlerat e qytetërimit tuaj dhe të demokracisë së avancuar, duke njohur rezultatet dhe duke treguar përgjegjësi të lartë politike ndaj votuesve, qytetarëve dhe vendit tuaj.
Britania e Madhe është vend mik i Kosovës, ndër shtetet kryesore që ka kontribuar në çlirimin dhe rindërtimin e saj. Populli i Kosovës është mirënjohës për ndihmën e dhënë nga qeveria dhe populli Juaj.
Britania e Madhe vazhdon të jetë një ndër vendet kryesore, prijëse e lirisë, demokracisë dhe ndikimit në marrëdhëniet ndërkombëtare. Qeveria e Kosovës do ta thellojë edhe më shumë miqësinë dhe bashkëpunimin me Britaninë e Madhe.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, Ju shpreh urimet më të mira gjatë mandatit Tuaj qeverisës, me besimin se do të realizoni programet qeveritare në forcimin edhe të mëtutjeshëm të Britanisë së Madhe, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar..