Kryeministri Thaçi përgëzoi muslimanët për Fitër Bajram
Prishtinë, 30 gusht - Me rastin e Festës së Fitër Bajramit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka vizituar sot Bashkësinë Islame të Kosovës, ku është pritur nga kryetari Naim Tërnava.
Me këtë rast, kryeministri Thaçi ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe të gjithë besimtarët islamë për Festën e madhe të Fitër Bajramit, duke vlerësuar lartë vlerat e shfaqura gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit, muaj që po kurorëzohet me Festën e Fitër Bajramit.
Festa e Fitër Bajramit është festë e paqes, e solidaritetit, harmonisë, dashurisë dhe respekti të ndërsjellë në familje, në shoqëri dhe në tërë komunitetin tonë u shpreh kryeministri Thaçi.
Më tej, kryeministri Thaçi ka theksuar se qytetarët e Republikës së Kosovës po e kremtojnë Festën e Fitër Bajramit në shtetin e lirë dhe demokratik të Kosovës, që po arrin njohje të reja ndërkombëtare, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të kushteve të jetesës.
Kryeministri Thaçi ka shprehur bindjen se çdo festë Kosovën do ta gjejë edhe më të përgatitur, për tu bërë pjesë e institucioneve euroatlantike.