03 Maj 2024

Kryeministri Thaçi: Nuk e pranojm heqjen e Republikës

Prishtinë, 3 shkurt - Kryeministri Hashim Thaçi në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka deklaruar se edhe krejt spektri politik po të pranonte heqjen e Republikës, ai nuk do ta pranonte një gjë të tillë.

Qeveria e Republikës së Kosovës, sipas tij, do ta respektojë me përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës, dhe dokumentin e presidentit Ahtisaari.
 
“E ardhmja edhe e veriut të Mitrovicës është e ardhmja identike me shtetin sovran të Kosovës. E ardhmja e veriut është e ardhmja e Kosovës, duke respektuar gjithmonë Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës; duke respektuar dokumentin e presidentit Ahtisari, prandaj në asnjë rrethanë nuk do të ketë as status special, as ndonjë propozim që lexohet në ndonjë medium, dhe një gjë e tillë asnjëherë nuk është shtruar së diskutuari, e lëre së propozuari nga ndokush."

"Pra, veriu i Mitrovicës është pjesë e Kosovës. Kosova do të funksionojë si një njësi shtetërore, me integritetin territorial të respektuar e garantuar e të njohur edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë Thaçi.

Ai ka theksuar se Qeveria e Republikës së Kosovës dhe gjithë mekanizmat ndërkombëtarë që janë të instaluar në Kosovë do të vazhdojnë të punojnë që të jenë sa më afër qytetarëve në veri, në mënyrë që edhe ata të kuptojnë realitetin e ri të krijuar.

Kryeministri Thaçi ka folur edhe rreth deklaratave të tij, se është i gatshëm të takohet me presidentin serb, Boris Tadiq.

“Realisht, kjo nuk është hera e parë e deklarimeve të tilla. Është e nevojshme, është e domosdoshme për interesin e dy shteteve, dy popujve tanë, të paqes, të stabilitetit, bashkëpunimit rajonal, të ketë takime të liderëve politikë të zgjedhur në mënyrë legjitime të shteteve përkatëse."

"Takime të delegacionit kosovar ka pasur edhe në Vjenë edhe në vende të tjera. Prandaj në interesin e dy vendeve tona, është që të ketë edhe komunikim të drejtpërdrejt ndërshtetëror në mes të lidershipit kosovar edhe atij të zgjedhur të Serbisë, por gjithmonë si dy shtete të pavarura sovrane, duke punuar për interesin e dy vendeve, qytetarëve tanë dhe perspektivës euroatlantike, edhe të Kosovës edhe të Serbisë edhe të gjithë rajonit”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa, rreth zhvillimeve të fundit dhe përplasjeve me Vetëvendosjen, kryeministri i vendit ka thënë se Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është duke u konfrontuar me askënd.

“Qeveria e Republikës së Kosovës është duke vazhduar të luajë rolin e vet unifikues, në kuptimin e një agjende të përbashkët shtetërore. Ne kemi qenë edhe në opozitë në vitin 2004 - 2007, kur është formuar ekipi i unitetit, kemi marrë të gjitha përgjegjësitë si lidership, duke vënë së pari interesat e shtetit mbi ato partiake."

"Prandaj, edhe thirrja ime sot për gjithë spektrin politik kosovar është që të punojë së pari për Kosovën, pastaj për interesa partiake ose interesa të tjera, sepse është viti më i rëndësishëm historik për Kosovën pas vitit 1999, kur e fituam lirinë, pas vitit 2008 që e shpallëm Kosovën të pavarur dhe sovrane”, u shpreh ndër të tjera Thaçi.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)