Kryeministri Thaçi në vizitë zyrtare në Bruksel
Bruksel, 1 mars - Me ftesë të Zëvendëspresidentes së Bashkimit Evropian, Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baroneshës, Catherine Ashton, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka udhëtuar dje për një vizitë zyrtare në Bruksel.
Gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri Hashim Thaçi do të pritet nga baronesha Catherine Ashton, komisioneri i BE-së për zgjerim, tefan Füle, si dhe do të zhvillojë një takim edhe me kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Jana.
Vizita e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi në Bruksel zhvillohet në kuadër të përkushtimeve për përshpejtimin dhe fuqizimin e agjendës evropiane të Kosovës, pas konfirmimit nga ana e Këshillit të Ministrave të BE-së për Studimin e Fizibilitetit për Republikën e Kosovës.
Sipas burimeve të BE-së, kjo vizitë ka për qëllim që zyrtarët evropianë personalisht të urojnë dhe falënderojnë kryeministrin Thaçi për kontributin e tij në arritjen marrëveshjes për bashkëpunimin rajonal, mes Prishtinës dhe Beogradit.
Ndërkaq, sot në Bruksel nis samiti dyditësh i shefave të shteteve dhe të qeverive të Bashkimit Evropian, ku në mesin e temave pritet të jetë edhe procesi i zgjerimit të BE-së.
Udhëheqësit e bllokut gjithashtu pritet të konfirmojnë edhe formalisht dhënien e statusit të kandidatit Serbisë, për anëtarësim në BE.
Të gjitha vendet e BE-së, përfshirë edhe Rumaninë, u kanë rekomanduar të martën udhëheqësve evropianë të miratojnë kandidaturën evropiane të shtetit serb.
Delegacioni rumun ka kundërshtuar vendimin për Serbinë, duke kërkuar përmirësimin e pozitës së pakicës vllahe në këtë vend.
Megjithatë, zyrtarët e BE-së pohojnë se tashmë ka harmoni në mesin e të gjitha shteteve anëtare se Serbia e ka merituar statusin e kandidatit dhe se i ka përmbushur kërkesat në lidhje me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura në dialog.
Këshilli i Evropës pritet të diskutojë edhe situatën ekonomike në Evropë, si dhe situatën në Siri.