Kryeministri Thaçi më 18 nëntor në seancën e KS të OKB-së
Prishtinë, 11 nëntor - Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, pritet të përfaqësojnë Kosovën në takimin e rregullt të Këshillit të Sigurimit, që mbahet më 18 nëntor në Njew York.
Në këtë takim, fillimisht, siç është bërë tashmë praktikë, do të shqyrtohet raporti tre mujor për zhvillimet në Kosovë i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon dhe më pas do të dëgjohen edhe fjalimet nga shefi i UNMIK-ut, përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë dhe do të përmbyllet me fjalimet e ambasadorëve të vendeve anëtare, shkruan Tribuna.
Nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, është konfirmuar se më 18 nëntor, në këtë takim do të udhëtojë edhe kryeministri Thaçi.
Ndonëse nuk ka konfirmim nga Beogradi, rrjedhimisht të dyja vendet pritet që të paraqiten në nivel të barabartë, andaj atë ditë në Nu Jork pritet të jetë kryeministri i Serbisë Ivica Dacic.
Në raportin më të ri të Sekretarit Ban Ki Moon, i cili tashmë është publik, theksohet rëndësia e suksesit të zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit, sidomos në pjesën veriore të Kosovës.
Pasi që raporti ishte publikuar më 1 nëntor, dy ditë para zgjedhjeve, burime nga UNMIK-u i kanë thënë gazetës se pritet që të ketë edhe një aneks shtesë në të, ku do të flitet edhe për procesin zgjedhor të 3 nëntorit. /Tribuna/